TIRANË – Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi në Kuvendin Kombëtar të partisë se besimi te fitorja ka qenë forca që e ka udhëhequr gjatë betejave politike të viteve të fundit.

Në fjalën e tij para demokratëve, Berisha u shpreh se nuk do ta kishte marrë kurrë përsipër drejtimin e kësaj beteje nëse nuk do të ishte i bindur për suksesin e saj.

Reklame

“Nuk do merrja kurrë përsipër t’ju drejtoja ju po të mos besoja tek fitorja. Besimi tek fitorja buronte nga guximi juaj, nga vendosmëria juaj dhe nga dashuria juaj për këtë vend”, tha ai.

Kreu i opozitës vlerësoi mbështetësit e Partisë Demokratike për, sipas tij, përballimin e një periudhe të vështirë politike dhe deklaroi se partia tashmë ndodhet në një fazë të re.

“Sot nuk jemi më forca politike që lufton në mbrojtje. Sot jemi forca politike në kilometrin e fundit, në kilometrin që ecim drejt fitores”, u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së tij, ai akuzoi qeverinë për kontroll mbi mediat dhe për lidhje me grupet kriminale, duke pretenduar se opozita është përballur me pengesa të shumta në përpjekjet e saj politike.

Berisha theksoi se sfida më e rëndësishme për demokratët mbetet ripërtëritja e Partisë Demokratike, proces që sipas tij do të shërbejë si bazë për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe për ndryshimin e vendit.

“Detyra jonë numër një që ua kemi borxh demokratëve dhe shqiptarëve është ripërtëritja. Ripërtëritja e partisë duhet të jetë vepra jonë madhështore për të ripërtërirë nesër Shqipërinë dhe për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë”, deklaroi ai.

Në vijim të fjalës, Berisha mbrojti programin politik të Partisë Demokratike, duke renditur si arritje të qeverisjeve të mëparshme demokratike anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, heqjen e vizave, ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe integrimin në institucionet europiane.

Ai u shpreh i bindur se opozita do të paraqesë projekte të reja për të ardhmen e vendit, duke i cilësuar ato si objektiva që do të tejkalojnë arritjet e deritanishme.

Reklame