Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Tokio e Japonisë se Shqipëria ndodhet në fazën më të avancuar të procesit të integrimit europian, duke theksuar se vendi është “më pranë se kurrë” me Bashkimi Europian.
Gjatë një konference në Japoni, Rama bëri të ditur se javën e ardhshme do të zhvillohet një konferencë kyçe ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, e cila sipas tij do t’i hapë rrugë fazës së mbylljes së kapitujve të negociatave.
“Shqipëria sot është më afër se kurrë me BE-në. Nuk e kemi parë kurrë të jetë kaq konkrete dhe reale në asnjë moment të historisë sonë moderne. Kemi hyrë në fazën vendimtare të rrugëtimit tonë në BE dhe javën e ardhshme do të kemi një konferencë kyçe ndërqeveritare me BE-në, që i jep fill një faze të re të mbylljes së kapitujve dhe mbylljes së negociatave brenda një viti e gjysmë”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi integrimin europian si një “zgjedhje qytetërimi” për shqiptarët, duke kujtuar se pas rënies së komunizmit vendi zgjodhi demokracinë, hapjen dhe lidhjet transatlantike.
Në fjalën e tij nuk munguan as batutat, teksa Rama tha se Shqipëria është e vendosur të bëhet pjesë e familjes europiane.
“Ne duam të martohemi me BE-në, këmbëngulim dhe do të martohemi”, u shpreh ai.
Rama theksoi gjithashtu se integrimi i Ballkani Perëndimor nuk është vetëm interes i vendeve të rajonit, por edhe një nevojë strategjike për vetë Europën.
Sipas tij, Shqipëria ka dëshmuar se është një partnere e besueshme e Perëndimit, e linjëzuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së dhe një aleate e përkushtuar e NATO.















