Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Sarandës dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku kërkoi reflektim të menjëhershëm për të ndryshuar situatën dhe perceptimin e qytetarëve ndaj punës së Policisë.
Takimi vjen pas ngjarjes së ndodhur me “beach bar”-in “CopaCabana” në Sarandë, episod që çoi në shkarkimin e drejtuesve të komisariatit.
Gjatë fjalës së tij, Hita theksoi se ndërtimet pa leje nuk do të tolerohen në asnjë rast dhe kërkoi reagim të fortë ndaj grupeve kriminale, armëmbajtjes pa leje, trafikut të narkotikëve dhe çdo aktiviteti që cenon rendin dhe sigurinë publike.
Ai paralajmëroi se çdo punonjës policie që mban lidhje apo favorizon elementë kriminalë do të përjashtohet nga radhët e Policisë dhe do të përballet me drejtësinë.
“Cilido që do mbajë lidhje apo do të favorizojë grupet kriminale dhe elementet me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të përjashtohet nga Policia dhe do merret drejtësia me të”, deklaroi Hita.
Drejtori i Policisë kërkoi gjithashtu angazhim maksimal për sigurinë në shkolla deri në përfundim të vitit shkollor, si dhe kontrolle të shtuara nga Policia Rrugore ndaj shkeljeve që krijojnë kaos në qarkullim, parkimeve të gabuara dhe automjeteve të modifikuara.
Sipas tij, Forca e Posaçme “Shqiponja” duhet të rrisë prezencën në terren për goditjen e elementeve kriminale dhe rritjen e sigurisë në qytet, ndërsa Policia Kufitare duhet të intensifikojë kontrollet ndaj krimeve ndërkufitare dhe monitorimin e mjeteve lundruese.
Në prag të sezonit turistik, Hita kërkoi profesionalizëm dhe reagim në kohë nga të gjitha strukturat policore për garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët dhe turistët vendas e të huaj.
Në përfundim, ai theksoi se Policia e Sarandës duhet të rikthehet në standardet që qytetarët meritojnë, përmes zbatimit të paanshëm të ligjit dhe forcimit të besimit publik.















