Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë me dije rezultatet e analizave laboratorike lidhur me rastin e dyshuar të helmimit të disa kursantëve në Akademia e Sigurisë.

Sipas njoftimit zyrtar, janë kampionuar nëntë mostra ushqimore, ku tetë prej tyre kanë rezultuar brenda normave, ndërsa një mostër makarone, produkt i gatshëm i marrë në kuzhinën e Akademisë, ka dalë jokonforme për ngarkesë mbi normë me bakterin Escherichia Coli dhe stafilokok koagulazë pozitiv.

Reklame

Pas këtyre rezultateve, AKU ka marrë masën e ndërprerjes së aktivitetit në ambientet e kuzhinës deri në plotësimin e kërkesave ligjore për pastrim dhe dezinfektim.

Në vijim të hetimit dhe gjurmimit të produkteve ushqimore, kontrollet janë shtrirë edhe në Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku prodhoheshin ushqimet.

Autoritetet njoftojnë se, pas konstatimeve mbi shkeljet higjieno-sanitare dhe rezultatet jokonforme në kampionët e ruajtur dhe pajisjet e punës, është vendosur ndërprerja e aktivitetit edhe për subjektin SORI-AL.

Gjithashtu, subjektit i është vendosur një masë administrative me gjobë në vlerën 1.5 milionë lekë për tregtim ushqimi të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare.

AKU ka urdhëruar gjithashtu asgjësimin e produktit të bllokuar që rezultoi jashtë standardeve të sigurisë ushqimore.

Reklame