SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 24 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Dosja lidhet me procedimin penal nr. 36 të vitit 2019 dhe është dorëzuar në GJKKO.

Reklame

Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen për trafikim të sasive të mëdha të kokainës dhe hashashit nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian, si dhe për pastrimin e të ardhurave kriminale.

Mes të akuzuarve për trafik droge dhe organizatë kriminale janë edhe shtetasit:

  • Elvis Doçi
  • Olgert Shqevi
  • Indrit Tafili

Ndërsa pjesa tjetër e grupit akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Të pandehurit janë:

Elvis Doçi, Olgert Shqevi dhe Indrit Tafili, të akuzuar për veprat penale: “Trafikim i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’’, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”,“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Artan Sulejmani, Nexhmedin Danaj, Orges Molla, Sueld Elezi, Genti Nderjaku alias Ekil Nderjaku, Hasan Nderjaku, Altin Morina, Emri Hysenaj, Artur Shkoza, Sokol Isteri alias Tatani, Ervin Zeqiri, Gëzim Thartori, Ledio Bardhi, Juxhin Drazhi, të akuzuar për veprat penale: “Trafikim i narkotikëve”,  kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”.

Erind Lasku, Musa Korça, Alfred Hysa, Ligor Çombashi, Rando Aliu, Altin Pjetri dhe Edmond Çupi, të akuzuar për veprat penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Hetimet ndërkombëtare

Hetimi është kryer në bashkëpunim me autoritetet italiane, përmes një skuadre të përbashkët hetimore me Prokurorinë Antimafia në Bari. Grupi kriminal, sipas dosjes, operonte nga Shqipëria me degëzime në Itali dhe vende të tjera të BE-së.

Komunikimet mes anëtarëve janë kryer edhe përmes platformës së enkriptuar SkyECC.

Sasitë e sekuestruara

Autoritetet kanë dokumentuar sekuestrimin e sasive të mëdha droge, përfshirë:

  • 932 kg kokainë në Itali
  • 2020 kg kokainë në Holandë
  • dhjetëra kg të tjera kokainë dhe qindra kg hashash e marijuanë në operacione të ndryshme

Në total, gjatë hetimeve janë sekuestruar mbi 4 milionë euro cash, si dhe pasuri të shumta të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, me vlerë rreth 12 milionë euro.

Pasuritë e sekuestruara

Gjykata ka vendosur gjithashtu sekuestrimin e një sërë pasurish të paluajtshme në Durrës dhe zona të tjera, të regjistruara në emra individësh dhe kompanish të lidhura me të hetuarit.

SPAK vijon paralelisht edhe procedimin pasuror për verifikimin e burimeve të pasurive të 52 subjekteve të përfshira në dosje.

Të gjithë të pandehurit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të formës së prerë nga gjykata.

Reklame