Këshilltari ekonomik i Partisë Demokratike, Dorian Teliti, ka reaguar me ironi ndaj mënyrës se si përdoren mjetet shtetërore, duke krahasuar ndërhyrjet në situata emergjente me veprimet në protesta.
Ai iu referua dy rasteve të ndryshme: ndërhyrjes së zjarrfikësve gjatë një zjarri në një objekt në Tiranë dhe përdorimit të autoblindave të Policisë së Shtetit me topa uji gjatë protestave të opozitës.
Sipas Telitit, ndërsa në rastin e zjarrit mjetet dhe presioni i ujit kanë qenë të pamjaftueshme, në situatat e protestave ato përdoren me intensitet të lartë.
Në reagimin e tij, Teliti akuzon qeverinë se prioritet i jep mjeteve për kontrollin e protestave, në vend të investimit për emergjenca civile dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Ai e ka cilësuar këtë si një “zgjedhje politike të gabuar”, duke shtuar se siguria e qytetarëve duhet të jetë përparësi mbi çdo interes tjetër shtetëror.
Reagimi ka ngjallur debat në rrjetet sociale, ku mbështetës dhe kritikë të opozitës kanë komentuar mbi përdorimin e mjeteve shtetërore në situata të ndryshme.
Reagimi i Dorian Telitit:
Shikoni këto dy foto. Kjo është pamja e një shteti që ka humbur rrugën.
Në njërën foto, shohim zjarrfikësit tanë heronj që luftojnë me flakët te ‘Farmacia 10’ me mjete që lëngojnë për ujë presion dhe teknologji të vjetruar. Një pafuqi totale për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarit me taksat që ai paguan çdo ditë.
Në foton tjetër, shohim forcën brutale dhe antiligjore të Policisë së Pushtetit: autoblinda moderne me një presion uji 10 herë më të fuqishëm, i përdorur për të goditur qytetarët, opozitën dhe për të shtypur fjalën e lirë.
Pyetje jo thjesht politike, por ekzistenciale: Pse qeveria-shtet investon qindra miliona euro për të na mbyllur gojën, por kursen çdo qindarkë kur duhet për të na shpëtojë jetën?
Përgjigja e qeverisë-shtet është e qartë: ‘Siguria e karriges vlen shumë më shumë se siguria e qytetarit dhe e pronës së tij’.
Ndaj hapni sytë o shqiptarë, ngrihuni, protestoni, reagoni.















