Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është përfshirë në një debat të fortë me gazetarët lidhur me Ervin Salianjin dhe mënyrën e funksionimit të medias, duke hedhur akuza edhe ndaj mënyrës së raportimit të lajmeve.
I pyetur për deklaratat e mëparshme ku kishte përmendur takime të Salianjit me persona të njohur të botës së krimit, dhe për faktin se më pas e kishte përfshirë në strukturat drejtuese të PD-së, Berisha u shpreh se nuk vepron mbi paragjykime.
“Në jetën time parimi kryesor është: mos paragjyko dhe mos u nis nga mosbesimi. Unë nuk paragjykoj kurrë,” tha Berisha, duke shtuar se kooptimi i Salianjit në kryesinë e PD-së ishte bërë mbi bazën e besimit politik, ndërsa më pas sipas tij kanë ndodhur zhvillime të tjera nga vetë Salianji.
Berisha theksoi se vendimmarrja e tij nuk është e ndikuar nga supozime, por nga informacioni dhe vlerësimi politik në momentin përkatës.
Në të njëjtën linjë, ai u ndal edhe te media, duke akuzuar se disa portale po përdoren për qëllime politike dhe po mbingarkohen me lajme të kontrolluara.
“Kur nga zyra e Edi Ramës, Fania, publikon në 4 orë 16 lajme, ai e shndërron një faqe lajmesh në faqe të kontrolluar,” u shpreh Berisha, duke kritikuar mënyrën e raportimit dhe ndikimin politik mbi mediat.
Ai shtoi se nuk ka konflikt me gazetarët si profesion, por kundërshton sipas tij përdorimin e mediave për propagandë politike.
Debati u shtri edhe në çështje të tjera politike, ku Berisha solli si shembull takime të mëparshme të figurave politike të mazhorancës dhe opozitës, duke theksuar se secili politikan bën zgjedhjet e veta.















