Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas aksidentit tragjik të ndodhur në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Përmes një mesazhi publik, kreu i shtetit shprehet i tronditur nga ngjarja e rëndë dhe kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave, si edhe masa konkrete për rritjen e sigurisë në qarkullimin rrugor.
Aksidenti ndodhi mesditën e sotme në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku tre fëmijë po luanin në trotuar, kur u përplasën nga një automjet që humbi kontrollin.
Si pasojë e përplasjes, dy prej të miturve humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër u transportua drejt Spitalit të Traumës në gjendje të rëndë.
Presidenti Begaj u ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave dhe ka uruar shërim të shpejtë për fëmijën e plagosur.
Ai theksoi se jeta dhe siguria e qytetarëve janë të shenjta, duke nënvizuar nevojën për përgjegjësi dhe masa parandaluese që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.















