Sali Berisha ka mbrojtur procesin e brendshëm zgjedhor në Partinë Demokratike, duke deklaruar se PD zhvillon “garën më të ndershme dhe formën më demokratike që mund të ekzistojë”, ku kryetari zgjidhet drejtpërdrejt nga anëtarësia.

Sipas tij, modeli i PD-së është ndër të paktat në Europë ku vota e anëtarëve ka peshë vendimtare dhe përfaqëson “thelbin e demokracisë së brendshme”.

Reklame

Berisha ka theksuar gjithashtu se në garë nuk mund të përfshihen persona që, sipas tij, kanë qenë të lidhur me kundërshtarët politikë ose kanë vepruar kundër PD-së në fushata zgjedhore, duke i konsideruar të papranueshëm për një garë për drejtimin e partisë.

Ai ka akuzuar edhe kundërshtarët politikë dhe disa media për deformim të debatit publik, duke pretenduar se po ndikojnë në perceptimin e procesit zgjedhor brenda PD-së.

Megjithatë, procesi aktual brenda Partisë Demokratike po shoqërohet me kritika për mungesë gare reale, pasi në garë është vetëm një kandidat, ndërsa pjesa tjetër e figurave që kanë shprehur ambicie ose janë tërhequr, ose janë skualifikuar më herët nga strukturat e partisë.

Kjo situatë ka nxitur debat mbi standardet e demokracisë së brendshme në PD dhe mbi faktin nëse procesi përfaqëson realisht një garë të hapur apo një votim me alternativë të kufizuar.

Reklame