Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e çiftit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, ngjarje e ndodhur të dielën e kaluar në zonën e Balldrenit, në Lezhë, ku dyshohet se është përdorur një plan i mirëorganizuar me dy automjete.
Sipas të dhënave të siguruara nga kamerat e sigurisë, çifti Mujeci është ndjekur fillimisht nga një automjet tip “Polo”, i marrë me qira në Rinas, dhe më pas nga një tjetër mjet, “Audi A4”, që lëvizte pas tij. Në momentin kur automjeti i çiftit ka hyrë në një kthesë, “Polo” dyshohet se e ka parakaluar në sens të kundërt, duke i bllokuar rrugën, ndërsa “Audi” është pozicionuar menjëherë pas tyre.
Pamjet filmike tregojnë se nga automjeti “Audi” nuk zbret asnjë person, ndërsa nga “Polo” zbret një person i ri në dukje, i cili dyshohet se ka hapur zjarr fillimisht ndaj pasagjerit dhe më pas ndaj Kreshnik Mujecit. Sipas hetimeve, autori ka qëlluar pa ndërprerje dhe më pas është afruar sërish drejt anës së pasagjerit. Gjithashtu dyshohet se nga brenda automjetit “Polo” ka pasur edhe një tjetër person që ka qëlluar gjatë ngjarjes. Pas atentatit, sipas pamjeve të sigurisë, “Audi” ka kaluar mbi trotuar dhe është larguar me shpejtësi, ndërsa “Polo” është parë duke e ndjekur për një pjesë të rrugës.
Më pas, në disa kamera të tjera, “Polo” nuk shfaqet më, ndërsa “Audi” vazhdon lëvizjen dhe më pas humb gjurmët. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se automjeti “Audi” është fshehur përkohësisht në një banesë në zonën e familjes Kolndreu.
Në vendngjarje është gjetur edhe një bluzë e bardhë, që dyshohet se i përket autorit të identifikuar si Renato Mhillaj, i cili dyshohet se ka zbritur nga “Polo” dhe ka qëlluar mbi çiftin Mujeci. Policia po vijon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.















