Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 6 vite burg ish-punonjësen e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, pasi u shpall fajtore për veprën penale të spiunazhit.
Sipas aktakuzës, Gjukanoviq gjatë kohës që ushtronte detyrën si zyrtare e OSBE-së në Kosovë, ka përcjellë informacione sensitive tek agjenti rezident i BIA-s serbe, Aleksandër Vlajiq.
Prokuroria ka bërë me dije se informacionet e dërguara prej saj kishin lidhje me zhvillime politike dhe çështje të sigurisë në Kosovë, të cilat më pas i transmetoheshin zyrtarëve të lartë të BIA-s në Beograd.
Sipas organit të akuzës, e dënuara ka ndihmuar shërbimin inteligjent serb duke ofruar materiale me karakter të ndjeshëm.
Në aktakuzë thuhet gjithashtu se në ditën kur ndodhi sulmi ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, në vitin 2022, ka pasur komunikime mes Gjukanoviq dhe Aleksandër Vlajiq.
Ky i fundit është dënuar më herët në shkallë të parë për të njëjtën vepër penale.
Jelena Gjukanoviq ka të drejtë ta apelojë vendimin në instancat më të larta gjyqësore. Vendimi pritet të ngjallë reagime, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe përfshirjes së institucioneve ndërkombëtare.















