Detaje të reja kanë dalë nga atentati i rëndë që tronditi mesditën e sotme zonën e Balldren, në Lezhë, ku një burrë dhe bashkëshortja e tij u ekzekutuan me breshëri plumbash.

Viktimë ka mbetur Kreshnik Mujeci, 39 vjeç, së bashku me bashkëshorten e tij. Çifti po lëvizte me një automjet tip “Audi Q7” në aksin Balldre–Torovicë, kur autorët dyshohet se i kanë zënë në pritë dhe kanë hapur zjarr ndaj mjetit.

Reklame

Pamjet nga vendngjarja tregojnë se automjeti është bërë shoshë nga plumbat, ndërsa autorët janë larguar menjëherë pa lënë gjurmë.

Policia ka mbërritur në zonë dhe ka ngritur një grup hetimor, ndërsa pritet të analizohen kamerat e sigurisë në një zonë të banuar dhe me biznese, për të rindërtuar dinamikën e plotë të atentatit dhe për të identifikuar autorët.

Motivet mbeten ende të paqarta, por hetuesit nuk përjashtojnë pistën e hakmarrjes, për shkak të së shkuarës së viktimës. Kreshnik Mujeci është një emër i njohur për policinë, pasi rezulton i përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale vite më parë.

Sipas të dhënave, në vitin 2016 ai, së bashku me vëllezërit e tij, dyshohet se ishte i përfshirë në vrasjen e Gegë Mëhilli, i njohur edhe si Gent Pjetri, në aksin Shkodër–Velipojë.

Hetimet vijojnë intensivisht, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli në zonë për kapjen e autorëve të atentatit të dyfishtë.

Reklame