Kryeministri Edi Rama ka komentuar rritjen e çmimit të naftës gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste të Njësisë 7 në Tiranë, duke theksuar se situata lidhet drejtpërdrejt me konfliktin në Lindjen e Mesme.
Rama u ndal te struktura e çmimit të karburantit, duke sqaruar se shpesh debati publik nuk merr parasysh pasojat reale të ndërhyrjeve në taksa. Sipas tij, nëse hiqet taksa e qarkullimit, çmimi i naftës mund të ulet përkohësisht, por kjo do të sillte një barrë shumë më të madhe për qytetarët.
“Nëse heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës, çmimi bie, por çdo qytetar që ka një automjet do të paguajë katërfishin e asaj që paguan sot,” u shpreh ai.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu një plan për reformimin e tregut të karburanteve në vend. Ai bëri të ditur se po punohet për krijimin e një kompanie publike që do të menaxhojë rezervat strategjike të naftës.
Sipas Ramës, kjo ndërhyrje është thelbësore për sigurinë energjetike të vendit, duke shmangur rrezikun e mungesave në situata krize.
“Do të krijojmë një kompani publike që do të garantojë rezervën strategjike të naftës. Nuk mund të rrezikojmë të mbetemi pa naftë në një moment të caktuar,” theksoi ai.
Deklaratat vijnë në një kohë kur çmimet e karburanteve në vend vijojnë të jenë në fokus të debatit publik dhe kritikave nga opozita.















