Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka bërë të ditur se mazhoranca ka gati draftin për ligjin e referendumit, i cili do t’i nënshtrohet fillimisht një procesi të gjerë konsultimi publik përpara se të depozitohet në Kuvend.

Në një konferencë për gazetarët, Balla theksoi se synimi është ndërtimi i një ligji të mirëkonsoliduar, përmes përfshirjes së ekspertëve, juristëve, akademikëve, studentëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Reklame

Ai u ndal edhe te mundësia që referendumet të zhvillohen në të njëjtën ditë me zgjedhjet politike apo vendore, si një mënyrë për të ulur kostot. Megjithatë, sipas tij, kjo çështje mbetet ende për diskutim, pasi ekzistojnë qëndrime të ndryshme.

Balla nënvizoi se Kushtetuta e Shqipërisë përcakton qartë procedurat për zhvillimin e referendumeve dhe rolin e tyre, përfshirë edhe miratimin e amendamenteve kushtetuese.

“Do të jetë një proces i gjatë dhe gjithëpërfshirës, me qëllim që drafti final të jetë sa më i plotë përpara se të kalojë në procedurat parlamentare”, u shpreh ai.

Reklame