Policia e Lezhës ka zbardhur atentatin me eksploziv ndaj automjetit të një punonjësi policie, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2026 në lagjen “Besëlidhja”, ndërsa ka vënë në pranga autorin e dyshuar.

Në kuadër të operacionit të koduar “Zoomed In”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin dhe nën drejtimin e Prokurorisë, arritën të identifikojnë dhe arrestojnë shtetasin Fatjon Rrika, 32 vjeç, i cili rezulton me precedent penal në Itali për vjedhje me armë.

Reklame

Sipas policisë, 32-vjeçari dyshohet se është autor i shpërthimit me lëndë plasëse që shkatërroi automjetin e efektivit të policisë me inicialet Gj. Gj. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Identifikimi i autorit u bë i mundur pas një pune intensive hetimore dhe analizimit të një sërë pamjesh filmike të siguruara në akse të ndryshme rrugore. Nga këto pamje u arrit të dokumentohej lëvizja e autorit, si dhe mjeti që ai përdori për të shkuar në vendngjarje.

Rrika u arrestua në fshatin Zhejë të Kurbinit, teksa drejtonte ciklomotorin që dyshohet se kishte përdorur edhe ditën e kryerjes së krimit. Ky mjet u sekuestrua nga policia në cilësinë e provës materiale.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan edhe një armë gjahu pa leje. Për këtë arsye, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për babanë e të arrestuarit, shtetasin N. Rr., 66 vjeç.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se dyshohet që 32-vjeçari nuk ka vepruar i vetëm. Policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e një personi tjetër që dyshohet se ka bashkëpunuar në vendosjen e lëndës plasëse.

Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të këtij atentati.

Reklame