Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij para Parlamentit deklaroi se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama është zgjidhja e vetme për situatën që, sipas tij, po kalon vendi.

Berisha tha se qytetarët kërkojnë largimin e Ramës nga detyra, duke e cilësuar situatën aktuale si një gjendje dramatike për Shqipërinë.

Reklame

Sipas kreut të PD-së, kryeministri po shkel ligjet dhe Kushtetutën për të mbrojtur, siç u shpreh ai, aferat dhe interesat e tij. Berisha e akuzoi gjithashtu Ramën se me veprimet e tij po dëmton rrugën e integrimit europian të vendit.

Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te votimi në Kuvend për çështjen e deputetes Belinda Balluku, duke theksuar se opozita do të votojë në mënyrë unanime për heqjen e mandatit dhe arrestimin e saj.

Megjithatë, sipas tij, kjo nuk është zgjidhja e krizës politike në vend.

“Ne do të votojmë në unison për heqjen e mandatit dhe arrestimin e Ballukut, por zgjidhja e vërtetë e krizës është largimi i Edi Ramës nga pushteti”, u shpreh Berisha.

Deklaratat e kreut të PD-së vijnë në një ditë kur në Kuvend pritet të diskutohet kërkesa e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të deputetes Balluku, ndërsa jashtë Parlamentit opozita ka paralajmëruar edhe protestë.

Reklame