Një nga goditjet më të forta kundër falsifikimit të markave ndërkombëtare është shënuar në Portin e Durrësit, ku autoritetet doganore kanë bllokuar mbi 103 mijë palë veshje të dyshuara si të falsifikuara.
Operacioni i Antikontrabandës ka nxjerrë jashtë tregut një sasi masive artikujsh që mbanin logo të markave prestigjioze si Adidas, Nike, Gucci, Dior, Hugo Boss dhe Calvin Klein.
Sipas burimeve zyrtare, në ngarkesë përfshiheshin bluza sportive, komplete dhe veshje të tjera me logo të ekipeve të njohura europiane, të cilat dyshohet se do të hidhnin në treg si produkte origjinale.
Autoritetet theksojnë se kemi të bëjmë me një rast të rëndë të cënimit të pronësisë intelektuale, me pasoja direkte për ekonominë, konkurrencën e ndershme dhe konsumatorin shqiptar.
Strukturat doganore deklarojnë se kontrollet do të vijojnë me intensitet të shtuar, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të identifikuar përgjegjësit e këtij rrjeti të dyshuar të kontrabandës.
“Zero tolerancë ndaj çdo tentative për të futur në treg produkte të falsifikuara apo në shkelje të Kodit Doganor”, theksojnë autoritetet.
Bllokimi i mbi 103 mijë artikujve konsiderohet një nga ndërhyrjet më të mëdha të viteve të fundit në luftën kundër falsifikimit të markave në vend, ndërsa mbetet për t’u parë se kush qëndron pas këtij operacioni që tentoi të përmbytë tregun me “lukse” të rreme.















