Policia e Elbasanit ka goditur dy raste të njëpasnjëshme të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, duke arrestuar tre persona që transportonin gjithsej 24 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, me destinacion shtetet e Bashkimit Evropian.
Operacionet u zhvilluan nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Dy operacione të njëpasnjëshme
Në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, policia finalizoi operacionet e koduara “Aksi” dhe “Aksi 01”.
Gjatë operacionit “Aksi”, u arrestua në flagrancë shtetasi F. M., 22 vjeç, banues në Elbasan, i cili transportonte 14 emigrantë që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri.
Ndërsa në operacionin “Aksi 01”, u vunë në pranga A. R., 23 vjeç dhe D. Ç., 24 vjeç, banues në Përrenjas, të cilët po transportonin 10 emigrantë të tjerë.
Nga verifikimet rezultoi se A. R. drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Sekuestrohen automjetet
Policia sekuestroi dy automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
Autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Lexo edhe:
Shpëtohen 11 emigrantë pranë Sazanit, rrezikuan mbytjen me një gomone të vogël
SPAK kërkon 250 vite burg për 33 të pandehur për trafik klandestinësh







