Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Bordit të Paqes, iu drejtua drejtpërdrejt presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke ngritur çështjen e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Rama vlerësoi rolin e Trump në mandatin e tij të parë, duke theksuar se udhëheqja e tij e kishte sjellë Kosovën dhe Serbinë më pranë se kurrë një marrëveshjeje përfundimtare paqeje. Në këtë kontekst, ai deklaroi se presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, u ndalua “në mënyrë brutale” të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen në praninë e Trump.

Reklame

Sipas Ramës, ndërhyrja erdhi nga një prokuror që, siç u shpreh ai, më pas u bë i njohur edhe për përndjekjen e vetë presidentit amerikan.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Thaçi ka kaluar gjashtë vite në paraburgim nga Kosovo Specialist Chambers në Hagë, të cilën e cilësoi si një gjykatë të sponsorizuar nga disa vende demokratike.

“Presidenti i Kosovës ka kaluar 6 vjet në paraburgim. Vetëm javën e kaluar, prokurori kërkoi 45 vjet burgim për të. Ka një valë poshtërimi në tërësinë e një vendi paqedashës,” – u shpreh Rama.

Ai kritikoi ashpër procesin, duke thënë se gjykata “ka dështuar në çdo hap të vetin për t’iu përmbajtur standardeve të drejtësisë demokratike”.

Në fund të fjalës së tij, Rama i bëri apel Trump që të ndërhyjë përpara se situata të përshkallëzohet.

“Për hir të Zotit, zoti president, të bëjmë diçka para se gjëra shumë të këqija të ndodhin sërish,” – deklaroi ai, duke falënderuar për përfshirjen e Shqipërisë në nismën që e cilësoi si fisnike.

Deklaratat e Ramës pritet të kenë jehonë politike si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, ndërsa procesi gjyqësor në Hagë mbetet një nga çështjet më të ndjeshme për opinionin publik në Kosovë.

Reklame