Gjykata e Posaçme ka shpallur pritjen e vendimit për njërën nga dosjet më të ndjekura të viteve të fundit, atë të skemës së vjedhjeve në Bashkinë e Tiranës përmes kompanisë “5D Konstruksion sh.p.k”.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar:

Reklame

Redi Molla – 11 vite burg dhe ndalim ushtrimi funksionesh publike për 5 vite;

Mariglen Qato – 9 vite burg dhe ndalim funksionesh publike për 5 vite;

Taulant Tusha – 4 vjet burg, plus ndalim funksionesh për 5 vite;

Albano Janku – 2 vite burg dhe ndalim funksionesh për 5 vite;

Enton Punavijan – 3 vite burg dhe ndalim funksionesh për 5 vite;

Julian Zanaj – 3 vite burg dhe ndalim funksionesh për 5 vite;

Nestor Muhametllari – 7 vite burg dhe ndalim funksionesh për 5 vite.

Nga emrat e përmendur, Mariglen Qato është i vetmi që ndodhet aktualisht në burg. Për Redi Mollën dhe Qaton, SPAK kërkon gjithashtu që për 5 vite të mos ushtrojnë asnjë funksion publik.

SPAK thotë se Redi Molla dhe Mariglen Qato kanë qenë pronarët “de facto” të kompanisë “5D Konstruksion sh.p.k”, duke përdorur pronarë fiktivë për të përfituar tendera. Vetëm në këtë dosje, gjatë periudhës 2016–2020, ata morën 12 tendera me vlerë rreth 2 milionë euro, duke përfituesuar padrejtësisht mbi procedurat e prokurimit publik. Ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Më herët, Gjykata e Posaçme kishte dënuar katër të pandehur të tjerë që u gjykuan në proces të ndarë për të njëjtën skemë, por pa u dërguar në burg.

Deborah Keçi, drejtoresha e klubit shumë-sportësh, dhe tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave – Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Renaldo Gjerazi – u dënuan me shërbim prove, për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera.

Sipas SPAK, këta individë krijuan kushte të favorshme dhe privilegjuan kompaninë “5D” për të shpallur fitues tenderat, duke dëmtuar konkurrencën dhe parimet e prokurimit publik.

Reklame