Këngëtarja e njohur dhe opinionistja aktuale e Big Brother VIP Kosova 4, Leonora Jakupi, ka përjetuar një situatë të rëndë dhe shokuese, pasi banesa e saj është plaçkitur nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas burimeve të sigurta të Prive by Liberta Spahiu, ngjarja ka ndodhur disa javë më parë dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si edhe një periudhë të vështirë psikologjike për këngëtaren. Fatmirësisht, Leonora nuk ndodhej në banesë në momentin e incidentit.
Burime pranë saj bëjnë me dije se hajdutët kanë marrë disa sende me vlerë, ndërsa për shkak të hetimeve në vijim, detajet konkrete mbi objektet e vjedhura nuk janë bërë publike. Aktualisht, organet e rendit po kryejnë hetime intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ky rast e shton listën e opinionistëve dhe personazheve publikë që janë bërë pre e grabitjeve gjatë periudhës së angazhimit të tyre në programin Big Brother VIP Kosova, pas një ngjarjeje të ngjashme të raportuar edhe në sezonin e parë, ku ishte prekur Afërdita Paqarada.
Megjithëse thellësisht e tronditur nga ngjarja, Leonora Jakupi ka zgjedhur të mos reagojë publikisht, duke ia lënë çështjen në dorë autoriteteve. Sipas burimeve, ajo po bashkëpunon plotësisht me policinë, në pritje të zbardhjes së plotë të ngjarjes.















