Një ngjarje thellësisht tronditëse ka ndodhur në Itali, ku katër anëtarë të një familjeje shqiptare janë gjetur të pajetë në banesën e tyre, si pasojë e rrjedhjes së monoksidit të karbonit nga kaldaja. Tragjedia ka ndodhur në zonën Pianna di Luca, duke lënë pas dhimbje të pamasë dhe një komunitet të shokuar.

Viktima janë Arti dhe Jonida Kola, prindërit e Hajdar Kolës, 22 vjeç, dhe vajzës së mitur Xhesika, vetëm 15 vjeçe. Familja kishte vetëm gjashtë muaj që ishte vendosur në shtëpinë e re – një shtëpi për të cilën kishin punuar dhe ëndërruar gjatë.

Reklame

Në emisionin Top Story, miku i ngushtë i Hajdarit, Ernest Çela, ka rrëfyer me zë të dridhur momentet e para kur mbërriti në banesë bashkë me vëllanë e kryefamiljarit:

“Nuk dinim për ndonjë defekt të kaldajës. Kur erdhi policia shkuam te shtëpia, te kati i dytë… kur i pamë të katërt. Xhaxhi i tij shpërtheu derën dhe aty i pamë të gjithë përtokë.”

Sipas tij, në ato çaste paniku, disa prej tyre ende kishin shenja jete:

“Sa hyra, pamë që kishin puls. Darion dhe babai i tij ishin gjallë. U përpoqëm gjithçka për t’i zgjuar, por nuk dinim çfarë kishte ndodhur. Qëndruam rreth 10 minuta brenda, pastaj filluam të ndiheshim keq edhe ne.”

Situata u përkeqësua aq shumë, sa edhe personat që tentuan t’i ndihmonin rrezikuan jetën, ndërsa xhaxhait të viktimave i ra të fikët nga helmimi. Fatmirësisht, gjendja e tij shëndetësore është tashmë jashtë rrezikut.

Ernesti e përshkruan Hajdarin si një djalë punëtor dhe të përkushtuar:

“Punonte si elektricist. Ishin krenarë për shtëpinë e re. Çdo fundjavë e rregullonin, ishte objektivi i tyre. Sot ajo shtëpi u kthye në vend tragjedie.”

Pas ngjarjes, i gjithë komuniteti shqiptar në zonë është mbledhur pranë banesës, i tronditur dhe i pafuqishëm përballë dhimbjes.

Një familje e tërë u shua në heshtje, nga një rrezik i padukshëm, duke lënë pas vetëm lot, pikëpyetje dhe një plagë të thellë në zemrat e të gjithëve.

Reklame