Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKO) po zhvillohet seanca e radhës e procesit të njohur si “Plumbi i Artë”, ku ka dëshmuar Henrik Hoxhaj, tashmë i pandehur bashkëpunues i drejtësisë.
Hoxhaj, i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale, ka zgjedhur të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, duke zbuluar detaje të drejtpërdrejta mbi vrasje me pagesë, porositës, ekzekutorë dhe skemën e funksionimit të krimit të organizuar.
Sipas dëshmisë, njohja e tij me Nuredin Dumanin ka nisur në vitin 2020, gjatë ditëlindjes së Festim Qolit.“Aty jemi njohur, duke ngrënë e duke pirë. Këmbyem numrat e telefonit,” – deklaroi Hoxhaj.
Më pas, komunikimi mes tyre vijoi, fillimisht përmes telefonit dhe më vonë, sipas tij, edhe përmes telefonave të kriptuar.
Hoxhaj dëshmoi se Dumani i kishte folur për disa vrasje të porositura nga ‘Krymi’, duke e pyetur drejtpërdrejt nëse ishte i interesuar të përfshihej.“Më tha që janë disa punë për t’u bërë. I thashë po,” – deklaroi ai.
Fillimisht, vrasjet iu paraqitën si porosi të ardhura nga “Krymi”, por më pas, sipas Hoxhajt, Dumani i paraqiti edhe si probleme personale.
Në dëshminë e tij, Hoxhaj rrëfeu me detaje vrasjen e Dorian Shkozës, e cila do të kryhej kundrejt një pagese prej 70 mijë eurosh.
Armët dhe mjetet u siguruan nga Nuredin Dumani
Shofer i automjetit ishte Elio Bitri, nga Elbasani
Ngjarja ndodhi gjatë periudhës së pandemisë
Ditën e atentatit, grupi u nis nga shtëpia e Dumanit në Durrës, me një makinë të zezë. Në automjet:
Elio Bitri ishte në timon
Henrik Hoxhaj ndodhej pas shoferit, i armatosur me dy armë
Elio kishte gjithashtu një armë
Sipas Hoxhajt, pasi identifikuan shënjestrën në trotuar:“I qëllova nga brenda makinës. Një armë mu bllokua, përdora tjetrën.”
Ai tregoi se një person mbeti i vrarë në vend, ndërsa Dorian Shkoza u rrëzua pak më tutje. Pas verifikimit të identitetit, ai u qëllua sërish.“E pyeta ‘a ti je Doriani?’. Tha jo. Pyeta Elion, a ky është. Më tha po. Edhe e godita.”
Edhe Elio Bitri qëlloi me armë zjarri, sipas Hoxhajt.
Pas atentatit:
Hoxhaj zbriti në Plepa, ku kishte lënë një makinë tjetër
Automjeti i përdorur në krim u dogj në Bishtin e Zhurit
Dumani i ndoqi nga pas dhe ishte dëshmitar i ngjarjes“Më tha: ‘O kusho, doli shumë mirë’,” – deklaroi Hoxhaj.
Pagesa prej 70 mijë eurosh u nda mes Hoxhajt dhe Elios:
35 mijë euro për Henrik Hoxhajn
Shuma e marrë nga Elio, sipas tij, nuk dihet“Lekët Nuredini më tha se i merrte nga Krymi,” – shtoi ai.
Pas vrasjes, Hoxhaj deklaroi se ka jetuar normalisht në Tiranë, pa u fshehur.















