Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), Lorena Goxhobelli, ka firmosur sot vendimin për mbylljen e strukturave vendore të Kadastrës në Vlorë. Sipas vendimit zyrtar, masa do të hyjë në fuqi më 1 shkurt 2026, duke transferuar të gjitha shërbimet e menaxhimit të pronave nga qyteti bregdetar drejt Tiranës.

Vendimi argumentohet nga drejtuesja e ASHK-së me nevojën për “përmirësimin e organizimit të punës” dhe “rritjen e eficencës” në trajtimin e dosjeve të pronësisë. Megjithatë, ky hap ka ngjallur reagime të forta nga punonjësit e Kadastrës së Vlorës.

Reklame

Punonjësit janë shprehur kategorikisht kundër mbylljes së strukturës vendore dhe kanë ndërmarrë një peticion drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës, drejtores Lorena Goxhobelli, kryeministrit Edi Rama si dhe prefektes së qarkut Vlorë, ku kërkojnë rishikimin e menjëhershëm të vendimit.

Sipas tyre, zhvendosja e shërbimeve në Tiranë nënkupton edhe transferimin fizik të punonjësve që shqyrtojnë dosjet e pronave, një proces që, sipas punonjësve, është i papërballueshëm për shkak të volumit të lartë të punës dhe ngarkesës administrative.

Punonjësit theksojnë se mbyllja e Kadastrës vendore do të penalizojë jo vetëm stafin, por edhe qytetarët e Vlorës dhe zonave përreth, të cilët do të detyrohen t’i drejtohen Tiranës për shërbime që deri më tani ofroheshin në nivel lokal.

Peticioni është firmosur nga të gjithë punonjësit e Kadastrës së Vlorës, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe institucionet e tjera të përfshira.

Reklame