Detaje tronditëse janë zbardhur nga vrasja e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në aksin rrugor Mamurras–Fushë Krujë, ku 57-vjeçari Petrit Ndou humbi jetën pas një sulmi brutal me çekiç. Si autor i dyshuar i krimit është identifikuar 28-vjeçari Andi Vokri.
Ngjarja ka ndodhur ndërsa viktima ndodhej në automjet së bashku me bashkëshorten e tij, e cila është edhe dëshmitarja kryesore e rastit. Ajo ka deklaruar në polici se sulmi ka qenë i menjëhershëm dhe se bashkëshorti i saj është goditur disa herë me çekiç, duke pësuar plagë fatale.
Sipas burimeve hetimore, autori i dyshuar ndodhej në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes dhe shoqërohej nga dy persona të tjerë. Dëshmitarë okularë kanë pohuar se kanë tentuar ta ndalojnë 28-vjeçarin gjatë konfliktit, por nuk kanë arritur të shmangin sulmin fatal.
Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje në ambientet e komisariatit, Andi Vokri ka mohuar akuzat. Ai ka deklaruar se nuk kishte qëllim të vriste 57-vjeçarin dhe ka pretenduar se nuk është autori i krimit.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për sqarimin e rolit të personave të tjerë që ndodheshin me të dyshuarin në momentin e krimit.















