Sateliti i Bashkimit Evropian ka publikuar pamje që tregojnë qartë përmasat e mëdha të përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në Shqipëri, në fillim të janarit 2026.

Sipas të dhënave të Shërbimit të Menaxhimit të Emergjencave Copernicus, zonat më të prekura ndodhen në Shqipërinë qendrore dhe perëndimore, ku dalja e lumenjve nga shtrati ka përmbytur sipërfaqe të mëdha toke, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe infrastrukturë.

Reklame

Pamjet satelitore tregojnë qartë përhapjen e ujërave në zonat e ulëta dhe përgjatë korridoreve kryesore të lumenjve, ku reshjet intensive kanë tejkaluar kapacitetet natyrore të përballimit të prurjeve.

Ngjarja ka prekur disa qytete dhe zona të banuara, përfshirë Fierin dhe Beratin, ku ujërat e përmbytjeve kanë mbuluar tokë bujqësore, kanë dëmtuar rrugë, ura dhe infrastrukturë lokale, duke vështirësuar jetën e banorëve dhe aktivitetin ekonomik.

Autoritetet vijojnë vlerësimin e dëmeve, ndërsa pamjet e publikuara nga satelitët e BE-së shërbejnë si një sinjal alarmi për ndikimin e motit ekstrem dhe nevojën për masa parandaluese më të forta në menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet.

Reklame