Një histori personale, që reflekton situatën e mijëra shqiptarëve dhe kosovarëve, vjen nga Artina – fituese e Programit të Vizave të Diversitetit, e cila në prill të vitit 2022 udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara me shumë ëndrra dhe plane për të ndërtuar jetën e saj.

Pasi fitoi mundësinë për emigrim, Artina nisi procesin e bashkimit familjar me partnerin e saj në Shqipëri. Megjithatë, këto përpjekje u bllokuan papritur pas vendimit të SHBA-së për pezullimin e përkohshëm të vizave të emigrimit për 75 vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Ky vendim u motivua nga politika e administratës së asaj kohe, sipas së cilës emigrantët duhet të jenë të vetë-mjaftueshëm dhe jo një barrë për shtetin.

Reklame

Artina përjetoi sfida të mëdha personale, duke udhëtuar vazhdimisht mes Shqipërisë dhe SHBA-së, duke punuar deri në muajin e fundit të shtatzënisë dhe duke kujdesur për vajzën e saj të vogël e vetme në SHBA. “Po më duket sikur këta katër vjet po fshihen nga jeta sikur të mos ishin asgjë”, shprehet ajo për Radion Evropa e Lirë, duke treguar lodhjen mendore dhe pasigurinë që sjell pezullimi i vizave.

Sipas ekspertit për emigracion Artid Hila, pezullimi i vizave krijon pasiguri totale tek aplikantët që kanë ndjekur gjithë hapat proceduralë dhe kanë paguar tarifat e duhura. Shumë prej tyre kanë investuar vite pritjeje dhe qindra apo mijëra dollarë në dokumente, përkthime, kontrolle mjekësore dhe udhëtime për intervista, por tani rrezikojnë të mbeten pa vizë.

Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar rreth 3.800 shqiptarë dhe 650 kosovarë fituan viza emigrimi drejt SHBA-së. Por me pezullimin e përkohshëm të procesit dhe ndalesën e Programit të Vizave të Diversitetit, mijëra të tjerë janë të ndalur në pritje, duke krijuar një situatë juridikisht dhe emocionalisht të komplikuar.

Artina dhe mijëra të tjerë përballen tani me një dilemë të madhe: të vazhdojnë rrugën e emigrimit me pasiguri totale, apo të heqin dorë nga ëndrrat amerikane. Histori të tilla tregojnë pasojat reale të politikave të emigrationit dhe efektin e tyre në jetën personale të qytetarëve.

Reklame