Tetë persona kanë përfunduar në pranga në lidhje me arratisjen e bujshme të të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit, një ngjarje që ka tronditur rëndë sistemin e sigurisë dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi bashkëpunimin e brendshëm institucional.

Mes të arrestuarve ka zyrtarë kyç të shëndetësisë dhe policisë, çka e shndërron këtë ngjarje nga një “dështim procedural” në dyshim për skemë të mirëorganizuar.

Reklame

Autoritetet kanë arrestuar:

Aulon Çuko – kryeinfermier në Spitalin e Durrësit

Desdemon Pazaj – zëvendësshef i komanduar i Policisë

Dorjan Saraçi – efektiv policie

Sal Ferollari – efektiv policie

Preng Marvataj – efektiv policie

Fatjon Baçi – efektiv policie

Aranit Çela – efektiv policie

Violeta Uka – shtetase civile

Të gjithë dyshohet se kanë lehtësuar ose mosvepruar qëllimisht gjatë momentit të arratisjes.

Ngjarja ndodhi mesditën e një dite më parë, kur Altin Ndoci, i shoqëruar nga efektivë policie për një vizitë mjekësore, u largua nga ambientet e spitalit të Durrësit dhe u zhduk pa lënë gjurmë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi ngjarjen, por pa dhënë shpjegime konkrete mbi mënyrën se si një i paraburgosur me rrezikshmëri të lartë mundi të largohej nga një ambient që, sipas tyre, është i pajisur me masa sigurie.

“Arratisja ka ndodhur brenda godinës së përshtatur për trajtimin e të burgosurve”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Por pikërisht ky fakt e bën ngjarjen edhe më të rëndë.

Altin Ndoci është një emër i njohur për drejtësinë, i arrestuar që në vitin 2020 dhe i akuzuar për:

vrasje, pjesëmarrje në organizatë kriminale, përfshirje në atentate mafioze

Në tetor 2025, SPAK e dërgoi për gjykim si pjesë e organizatës kriminale ku akuzohen edhe vëllezërit Çopja.

Ndoci është përmendur gjithashtu nga të penduar të drejtësisë si pjesëmarrës aktiv në konfliktet mes grupeve kriminale në vend.

Si u arratis një i paraburgosur i rrezikshëm nga një repart i sigurisë?

Pse përfshihen në këtë ngjarje policë dhe staf shëndetësor?

A ishte kjo një arratisje spontane apo e planifikuar?

Heshtja e institucioneve mbi detajet kyçe vetëm sa forcon dyshimet për bashkëpunim të brendshëm.

Reklame