Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër për situatën e përmbytjeve që kanë përfshirë vendin ditët e fundit, duke theksuar se problemi nuk është vetëm reshja e shiut, por edhe mosmirëmbajtja e infrastrukturës kryesore hidraulike.

Braçe vë theksin te parandalimi i dëmeve, jo vetëm kompensimi i tyre. Ai thekson se argjinaturat nuk mirëmbahen, çka çon në çarje dhe përmbytje edhe pas përfundimit të reshjeve.

Reklame

“Ne nuk mund të kthehemi vetëm në një shtet që paguan dëmet, duhet të merremi me eliminimin e faktorëve që çojnë në këto dëme, infrastruktura, ajo që na takon ne. Këto që po lexoj me çarje argjinaturash tani pas reshjeve nga lumenj që fryhen, natyrisht ka pasoja për sjelljen e shtetit. Argjinaturat sot janë mall pa zot, nuk kujdeset kush sot, nuk ka roje”, tha Braçe.

Deputeti kujton edhe përvojën e tij personale në Divjakë, ku, sipas tij, përmirësimi i menaxhimit të veprave jetike ka bërë që zona të mos përmbytet. Ai shton se shteti duhet të investojë në mirëmbajtje dhe infrastrukturë, jo vetëm të kompensojë dëmet ekonomike të qytetarëve, si humbjet e bagëtive apo të mbjellave.

Braçe përfundon duke apeluar për një strategji serioze dhe afatgjatë: shteti duhet të sigurojë që investimet në infrastruktura të jenë funksionale dhe të menaxhohen me përgjegjësi, për të parandaluar katastrofa të ngjashme në të ardhmen.

Reklame