Dy projektligje të propozuara nga deputeti socialist Olsi Komici, që synojnë korrigjime në paketën e reformës në drejtësi, kanë shkaktuar një reagim të fortë dhe të pazakontë nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Në qendër të debatit është një dispozitë që parashikon zgjatjen e mandatit të kryetarëve të komanduar të gjykatave dhe prokurorive deri më 31 dhjetor 2028.

Sipas Shoqatës së Gjyqtarëve, kjo nismë ligjore shmang garën për postet drejtuese në gjykata dhe cenon drejtpërdrejt kompetencat kushtetuese të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ). Në reagimin zyrtar thuhet se përmes këtij projektligji po tentohet të uzurpohet pushteti që Kushtetuta i ka dhënë KLGJ-së për emërimin dhe ngritjen në detyrë të gjyqtarëve.

Reklame

“Emërimi në pozicionin e kryetarit të gjykatës është ngritje në detyrë dhe për këtë mund të disponojë vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor”, thekson Shoqata, duke iu referuar drejtpërdrejt Kushtetutës dhe ligjit nr. 96/2016 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Një tjetër element që ngre pikëpyetje serioze, sipas gjyqtarëve, është fakti se dispozita e re do të zbatohej vetëm për gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm dhe administrative, duke përjashtuar gjykatat e posaçme. Ky selektivitet cilësohet “i çuditshëm” dhe pa asnjë justifikim ligjor.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve thekson gjithashtu se projektligji nuk merr parasysh faktin që KLGJ-ja ka miratuar tashmë aktin normativ për procedurat e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2026. Ky akt pritet të hapë garën për postet drejtuese shumë shpejt, duke e bërë të panevojshme dhe të dëmshme ndërhyrjen e Kuvendit.

Në reagim kujtohet edhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rrëzuar tentativa të ngjashme në të kaluarën. Shoqata përmend vendimin nr. 34, datë 10.04.2017, ku u shfuqizua një dispozitë që ndërhynte në mandatet e drejtuesve të gjykatave, duke e cilësuar atë antikushtetuese.

Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i bën thirrje Kuvendit që të mos cënojë standardet e shtetit të së drejtës dhe të mos zhbëjë arritjet e reformës në drejtësi. Ajo paralajmëron se ndërhyrje të tilla rrezikojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe balancën e pushteteve, ndërsa shpreh gatishmërinë për dialog dhe bashkëpunim institucional.

Deklarata e plotë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë është një njohur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, si pjesë e një pakete ndryshimesh të ligjeve të reformës në drejtësi, të dërguar nga ana e Kuvendit, për konsultim. Në parim, Shoqata është shprehur gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me Kuvendin dhe çdo institucion tjetër në përmirësimin e kuadrit ligjor që normon statusin e magjistratëve si dhe organizimin dhe veprimtarinë e organeve të drejtësisë dhe të qeverisjes së tyre. Megjithatë, kjo Shoqatë thekson se çdo ndryshim normativ duhet të jetë i kujdesshëm, të mos bjerë ndesh me parimet themelore të shtet ndërtimit, si ndarja dhe balancimi i pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit, si dhe duhet të synojë perfeksionimin e ligjeve bazë të reformës në sistemin e drejtësisë dhe jo të zhbëjë sukseset e arritura deri tani në këtë drejtim.

Shoqata konstaton se në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, të paraqitur nga ana e Kuvendit, ndër të tjera, prezantohet edhe një normë e cila vlerësohet si shumë problematike nga pikëpamja kushtetuese. Konkretisht bëhet fjalë për nenin 12 të këtij projektligji, që synon të shtojë nenin 170/3 në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ne Republikën e Shqipërisë”. Nëpërmjet kësaj norme, kryetarët në detyrë të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ konfirmohen si kryetarë të emëruar deri në datën 31 dhjetor 2028, duke shmangur sakaq garën për këto poste drejtuese në pushtetin gjyqësor.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë thekson se një dispozitë e tillë, së pari, tenton të uzurpojë pushtetin që Kushtetuta i ka dhënë Këshillit të Lartë Gjyqësor në emërimin e kryetarëve të gjykatave. Në nenin 147/a, pika 1, shkronja “a”, të Kushtetutës, parashikohet se Këshilli i Lartë Gjyqësor emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve. Emërimi në pozicionin e kryetarit të gjykatës konsiderohet si ngritje në detyrë sipas ligjit nr. 96/2016 dhe për këtë mund të disponojë vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor. Së dyti, në mënyrë të çuditshme, kjo dispozitë shtrihet vetëm ndaj gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe atyre administrative dhe nuk përfshin gjykatat e posaçme. Së treti, projektligji nuk mban në konsideratë faktin se KLGJ-ja tashmë ka miratuar aktin normativ përkatës lidhur me procedurën e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, akt i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2026 dhe pritet t’i sjellë efektet shumë shpejt, me hapjen e garës për postet e kryetarëve në këto gjykata, si dhe faktin se për një periudhë prej gati gjashtë vitesh gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit janë drejtuar nga zëvendëskryetarët, të cilët kanë ushtruar funksionet e kryetarit në detyrë. Kjo gjë e bën jo vetëm të panevojshëm caktimin e kryetarëve të gjykatave nga ana e Kuvendit, por sjell edhe cenimin e parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Shoqata sjell në vëmendje se edhe tentativa të ngjashme për miratimin e normave të tilla me karakter ad personam kanë dështuar pasi janë përballur me gjykimin kushtetues. Përmendim këtu vendimin nr. 34, datë 10.04.2017, të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin është shfuqizuar, ndër të tjera, neni 161, pika 3, e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dispozitë e cila synonte të ndërpriste mandatin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë si dhe të kryetarëve të gjykatave të tjera. Në këto rrethana, Shoqata fton Kuvendin e Republikës së Shqipërisë që të mos përpiqet të cenojë standardet e shtetit të së drejtës, duke dëmtuar arritjet e realizuara përmes ngritjes së organeve të reja të qeverisjes së pushtetit gjyqësor, pushtet i cili është në përfundim të procesit të reformimit si dhe që të mbajë në konsideratë jurisprudencën udhërrëfyese të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, ajo është në çdo moment e hapur për të bashkëpunuar dhe ofruar kontributin e saj në përmirësimin e procesit të ligjbërjes.

Reklame