Shkodër – Policia ka vënë në pranga tre persona, pjesë e një grupi prej pesë personash që mashtruan një biznesmen nga Shkodra, duke marrë nga ai 40 mijë euro me pretekstin se do t’i dorëzonin kryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj.
Të arrestuarit janë Krenar Toromeni, Ilia Gjini dhe Artur Lecini, ndërsa dy të tjerë mbeten në kërkim. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka lidhje me të shumëkërkuarin për mashtrim, Florian Gjergji.
Hetimet zbuluan se të arrestuarit i kishin dërguar biznesmenit mesazhe përmes aplikacionit Viber, duke përdorur një numër të paregjistruar, dhe u paraqitën si miq të ngushtë të Marinajt. Ata i kërkuan biznesmenit shumën prej 40 mijë eurosh, duke premtuar kthimin e saj brenda pak ditësh.
Biznesmeni, duke besuar në fjalën e tyre, ua ka dorëzuar paratë. Më vonë, kur ka kontaktuar vetë kryebashkiakun Marinaj për të verifikuar transaksionin, ka kuptuar se ishte bërë viktimë e mashtrimit dhe ka bërë kallëzim në polici. Ky veprim çoi në nisjen e hetimeve dhe arrestimin e tre personave.
Policia vijon operacionet për kapjen e dy të dyshuarve të tjerë që janë ende në kërkim.















