Reshjet intensive të borës kanë përkeqësuar situatën në disa njësi administrative të Qarkut Dibër, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe vështirësi serioze në qarkullimin rrugor.

Sipas të dhënave nga terreni, prej mbrëmjes së djeshme shumë zona kanë mbetur pa energji, ndërsa trashësia e borës në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Muhurr ka kaluar 40 centimetra, duke krijuar kushte të vështira për banorët.

Reklame

Bashkia Dibër ka angazhuar mjetet dhe strukturat e saj për hapjen e rrugëve lidhëse me fshatrat, por pavarësisht ndërhyrjeve, raportohet se disa zona vijojnë të jenë të izoluara për shkak të sasive të mëdha të borës dhe terrenit të vështirë.

Në qytetin e Peshkopisë, bora ka arritur rreth 20 centimetra, ndërsa qarkullimi në aksin Peshkopi–Kukës lejohet vetëm për automjetet e pajisura me zinxhirë dhe me kujdes të shtuar. Segmenti rrugor Ura e Çerenecit–Librazhd mbetet aktualisht i bllokuar, ndërkohë që po punohet për rikthimin e qarkullimit.

Ndryshe paraqitet situata në aksin Peshkopi–Tiranë, i cili është i kalueshëm pa nevojën e zinxhirëve.

Autoritetet lokale dhe strukturat përgjegjëse bëjnë me dije se puna për pastrimin e rrugëve rurale dhe rikthimin e normalitetit do të vijojë pa ndërprerje, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar.

Reklame