Veriu i vendit është përfshirë nga moti i keq të dielën, ku në qarkun e Shkodrësdisa zona kanë raportuar problematika të shumta pas reshjeve intensive të dëborës dhe shiut. Sipas Prefekturës, si pasojë e motit të keq është evidentuar shembje e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”.
Në këtë segment është vendosur sinjalistikë dhe qarkullimi është bllokuar për të shmangur rrezikun për përdoruesit e rrugës. Paralelisht, po punohet për vlerësimin e dëmtimit dhe për normalizimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndërkohë, borëpastrueset kanë qenë gjatë gjithë natës në punë për mbajtjen e hapur të aksit Qafë Thore–Theth, një nga rrugët më problematike gjatë sezonit dimëror.
Në territorin e Malësi e Madhe, reshjet kanë pushuar, ndërsa tre borëpastruese janë angazhuar në aksin Tamarë–Vermosh, ku ka prani ngricash dhe po kryhet kriposja e rrugës.
Në Vau i Dejës, reshjet e shiut kanë pushuar, por në disa njësi administrative janë regjistruar ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa në Fushë-Arrëz, reshjet e shiut vijojnë me intensitet të lartë dhe ka pasur rënie gurësh e dherash në rrugët rurale, por akset mbeten të kalueshme.
Prefektura e Shkodrës bën me dije se deri më tani nuk ka probleme në kanalet kulluese, argjinatura dhe digën e Rezervuarit të Shkodrës, ndërsa nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir dhe Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje.















