Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protesta e opozitës nuk është një akt i izoluar, por një proces i pandalshëm që do të vijojë deri në rrëzimin e kryeministrit Edi Rama ose shuarjen e opozitës.

Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi protestën si një proces inaugurues, duke theksuar se opozita ka përmbushur të gjitha detyrat dhe ka faktuar, sipas tij, çdo shkelje të qeverisë. “Ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, të betuar se do ta vazhdojmë luftën tonë deri në përmbysjen e regjimit”, u shpreh ai.

Reklame

Berisha kujtoi nisjen e protestave me foltoren para Kryeministrisë, e cila sipas tij u përqesh fillimisht, por mbante një mesazh të qartë se sheshi do të kthehej në “sheshin e lirisë”. Ai shtoi se aksioni opozitar vijoi në Parlament pasi, sipas tij, opozitës iu mohuan hapësirat kushtetuese.

Sipas Berishës, dalja në shesh ishte e pashmangshme pas përdorimit të Gjykatës Kushtetuese nga kryeministri Rama për të “legalizuar vjedhjet e qeveritarëve” dhe pas bllokimit të përpjekjeve të prokurorëve për heqjen e imunitetit.

“Nga sot, këtë protestë do ta merrni si një proces të tërë, një ansambël veprimesh, që ndalet vetëm me rrëzimin e Edi Ramës ose me shuarjen e opozitës”, përfundoi Berisha.

Reklame