Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për rritjen e pagës bazë minimale në shkallë vendi në 50 000 lekë në muaj. Vendimi është marrë në mbështetje të Kushtetutës, Kodit të Punës dhe ligjit për kompetencat e caktimit të pagave, me propozim të ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit.
Sipas vendimit:
Paga minimale mujore prej 50 000 lekësh është e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, vendas ose i huaj.
Ajo llogaritet për 174 orë pune në muaj, gjatë kohës normale të punës.
Paga minimale orare përcaktohet në 287.3 lekë.
Shtesat me karakter të përhershëm do të jepen mbi pagën bazë.
Shfuqizohet vendimi nr.113, datë 1.3.2023, për pagën minimale.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe do të ketë efekte financiare nga data 1 janar 2026.
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 8.1, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
3. Paga bazë minimale orare të jetë 287.3 (dyqind e tetëdhjetë e shtatë pikë tre) lekë.
4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
5. Vendimi nr.113, datë 1.3.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA















