Në seancën e sotme plenare, gjatë diskutimit mbi projektbuxhetin për vitin 2026, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u përplas ashpër me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Debati u ndez pas akuzave të Tabakut se qeveria vazhdon të shpenzojë miliona euro për çështjen e inceneratorëve, duke rënduar buxhetin e shtetit. Ajo paralajmëroi Malajn duke thënë se mund të ketë “të njëjtin fat si Arben Ahmetaj”.
“Çështja e inceneratorëve është duke u hetuar dhe po i shkakton buxhetit të shtetit kosto që vetëm për Tiranën shkon 339 milionë euro. 55% e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin,” deklaroi Tabaku.
Ministri Malaj iu përgjigj duke theksuar përvojën e tij 20-vjeçare në financa dhe duke argumentuar se projektbuxheti i ri siguron rritje ekonomike, konsolidim fiskal dhe mirëqenie sociale, pa rritur taksat.
“Ky është buxheti që siguron mirëqenie sociale dhe rritje ekonomike, pa rritur taksat. Besoj se buxhet më të mirë nuk keni parë,” tha Malaj, duke iu përgjigjur akuzave politike të deputetes.
Debati nxjerr në pah tensionet mes opozitës dhe qeverisë mbi menaxhimin e fondeve publike dhe çështjen e inceneratorëve, një nga skandalet më të diskutueshme të fundit në politikën shqiptare.















