Policia e Durrësit ka publikuar detaje të reja pas vetëdorëzimit të 21-vjeçarit Daniel Pepa, i dyshuar si autor i vrasjes së ndodhur më 22 tetor në Manëz, pas një konflikti të nisur për një kafe në një lokal të zonës.
I riu është arrestuar në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Durrësit, pasi dyshohet se qëlloi me armë zjarri dhe vrau Flori P., ndërsa në konflikt mbeti i vrarë edhe Aranit K..
Gjatë veprimeve procedurale, policia i ka sekuestruar Pepës armën e krimit, një pistoletë tip “Beretta”. Autoritetet konfirmojnë se i riu akuzohet për veprat penale:
“Vrasja me dashje”
“Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”
Arrestimi u bë në zbatim të urdhrit të datës 14.11.2025 të Prokurorisë dhe vendimit penal të Gjykatës së Durrësit, e cila për Pepën ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja lidhet me vrasjen e dyfishtë të datës 22.10.2025, në të cilën Daniel Pepa rezulton i implikuar si autor i dyshuar.
Policia bën me dije se, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe për sqarimin e çdo rrethane të ngjarjes së rëndë.















