Partia Demokratike ka reaguar ndaj koncesionit të “Portit të Integruar” në Triport të Vlorës, me vlerë 60 milionë euro, duke e cilësuar atë si një tjetër aferë korruptive që, sipas PD-së, lidhet me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe kryeministrin Edi Rama.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat, akuzoi qeverinë se ka përdorur një “skemë të përsëritur” në tendera dhe koncesione, ku – sipas tij – fituesit paracaktohen dhe më pas ndryshojnë strukturën e aksionerëve me çmime simbolike.

Reklame

Bardhi deklaroi se pas skemës së koncesionit të Triportit, fshihet një pronar real që nuk figuron në dokumente, ndërsa sipas tij, zyrtarisht në krye të shoqërisë koncesionare rezulton një pensionist, Hektor Agalliu — i cili, sipas PD-së, është punonjës në kompaninë “Salillari”.

Sipas deklaratës së Bardhit, kompania koncesionare Premium Construction & Maintenance, e cila përfundimisht zotëron 92% të aksioneve, është themeluar dy muaj para shpalljes së tenderit, ka kapital fillestar 10 mijë lekë dhe nuk zotëron eksperiencë në sektorin e ndërtimit.

PD paraqiti një kronologji të procedurës së koncesionit:

Ministria e Infrastrukturës e shpalli tenderin më 10 gusht 2021.

Fitues u shpall bashkimi i pesë kompanive:
Agbes Construction (33%), Besta (30%), Arconstudio (25%), ITE Group (8%), Premium Construction & Maintenance (5%).

Qeveria do të paguante 60 milionë euro për 7 vjet, menjëherë pas përfundimit të ndërtimit të portit tregtar.

Sipas akuzave të PD, menjëherë pas fitimit, tre nga kompanitë pjesëmarrëse i kanë shitur kuotat e tyre tek “Premium Construction & Maintenance”, me çmime që sipas Bardhit “shkojnë deri në 2500 euro për 25% të aksioneve”.

Bardhi e cilësoi procedurën si “skemë të pastër korruptive” dhe kërkoi që SPAK të nisë menjëherë hetimet për të verifikuar pronësinë reale, rrjedhën e fondeve dhe rolin e institucioneve shtetërore.“Kjo skemë duhet të hetohet menjëherë nga SPAK, për të ndëshkuar zyrtarët e korruptuar dhe për të zbuluar kush fshihet pas projektit 60 milionë euro,” – deklaroi Bardhi.

Reklame