Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit.
Rreth orës 19:00, banorët e zonës së Krastës kanë njoftuar policinë pasi kanë vërejtur një trup të pajetë në ujërat e lumit Shkumbin.
Në vendngjarje janë thirrur palombarët, të cilët për shkak të errësirës nuk kanë mundur të ndërhyjnë menjëherë. Për pasojë, 7 efektivë zjarrfikës dhe 10 policë u angazhuan për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit nga lumi.
Sipas burimeve për mediat, viktima është një grua rreth 40 vjeçe, ende e paidentifikuar, që dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Trupi është transportuar në morgun e Elbasanit, ndërsa deri më tani asnjë familjar nuk është paraqitur për ta identifikuar.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e vdekjes.















