Prej katër ditësh, terminali i autobuzave të linjave interurbane dhe atyre që lidhin fshatrat me qytetin e Bulqizës është nën ujë. Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.
Edhe rruga që lidh dy lagjet e qytetit është e përmbytur, ku shumë automjete janë bllokuar dhe shoferët janë detyruar të ndihmojnë njëri-tjetrin për të kaluar. Përmbytja ka prekur gjithashtu bizneset përreth zonës.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve shprehen se kjo nuk është hera e parë që ndodh: “Çdo vit e njëjta histori. Kemi kërkuar disa herë që Bashkia ta zgjidhë këtë problem, por nuk është bërë asgjë,” thonë ata.
Problemi lidhet kryesisht me mungesën e një sistemi të duhur kanalizimesh, që përkeqësohet sa herë ka reshje të dendura.














