Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra pesë punonjës policie, pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, ku dy efektivë të Qarkullimit Rrugor në Fier dyshohet se kanë marrë ryshfet gjatë kontrollit të një drejtuesi mjeti.

Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka marrë masën e pezullimit për inspektorët Sh. Ç. dhe I. L., ndaj të cilëve rëndojnë dyshime për shkelje disiplinore dhe veprime korruptive, pasi dyshohet se nuk kanë zbatuar procedurat standarde gjatë ushtrimit të detyrës.

Reklame

Paralelisht, Policia e Shtetit njofton se janë pezulluar edhe tre punonjës të tjerë për shkelje të ndryshme ligjore. Konkretisht, një inspektor në Lezhë është ndaluar me urdhër të prokurorit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Një oficer policie në Mat dyshohet për përdorim të lëndëve narkotike, ndërsa një oficer në Krujë është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia e Shtetit thekson se për të gjitha këto raste po bashkëpunohet ngushtësisht me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe me prokuroritë përkatëse, me qëllim kryerjen e veprimeve të plota hetimore dhe procedurale, në përputhje me ligjin.

Autoritetet nënvizojnë se institucionet e rendit janë të angazhuara për garantimin e standardeve profesionale dhe se çdo shkelje nga punonjësit e policisë do të trajtohet me masa të menjëhershme administrative dhe penale.

Reklame