Një 33-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin apartamentit të një familjeje me të cilën konkurronte në biznesin e dhënies së banesave me qira.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:40 të 4 gushtit, në lagjen “Lef Sallata”, ku në apartament ndodheshin një vëlla dhe motër. Të dy shpëtuan pa dëmtime, ndërsa banesa pësoi dëme të konsiderueshme materiale.
Fillimisht, zjarri u dyshua se mund të kishte qenë aksidental. Por hetimet e nisura nga specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në drejtimin e Prokurorisë, çuan në identifikimin e autorit të dyshuar.
Sipas policisë, Barend Hoxhaj 33 vjeç, dyshohet se i ka vënë zjarrin derës së apartamentit, ndërsa motivi lidhet me konkurrencën në biznesin e qiradhënies së apartamenteve në Vlorë.
Autoritetet kanë mundur ta identifikojnë dhe arrestojnë 33-vjeçarin brenda 48 orëve nga ngjarja.
Ai dyshohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Lexo edhe:
Brunilda Mersini e Vlorës i jep 269 mln lekë Safet Gjicit pas daljes nga burgu













