Advertisement

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Florjan Musajn, të vetmin person të arrestuar deri tani në kuadër të operacionit të fundit të SPAK kundër një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Musaj doli këtë të mërkurë para gjykatës për verifikimin e masës së sigurisë, ndërsa rezulton të jetë një nga 10 personat për të cilët është caktuar masa “arrest në burg”.

Reklame

Gjatë seancës, ai nuk ka dhënë deklarime lidhur me akuzat, por ka kërkuar që të përfaqësohej nga një avokat i caktuar nga shteti, duke argumentuar se nuk kishte pasur kohë të zgjidhte vetë një mbrojtës ligjor. Gjykata i caktoi si avokat kryesisht Arben Peçin.

Sipas hetimeve të SPAK, vetëm Florjan Musaj ka rënë në prangat e policisë, ndërsa shtatë persona të tjerë të përfshirë në dosje, mes tyre Eldi Dizdari, Dritan Gjika dhe Shpëtim Aliu, ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se për dy persona të tjerë ka informacione se ndodhen në Shqipëri dhe strukturat ligjzbatuese po vijojnë punën për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.

Operacioni i SPAK ka në fokus një grup kriminal që dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe në pastrimin e fitimeve të paligjshme përmes investimeve në sektorë të ndryshëm, kryesisht në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme.

Reklame