Zgjedhja e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk ishte thjesht një procedurë formale. Procesi u shndërrua në një arenë ku u ndërthurën interesa politike, institucionale dhe ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah peshën e partnerëve strategjikë si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Momenti më domethënës erdhi pak orë para votimit në KLP, kur Ambasada e SHBA publikoi fotografi nga takimi i Zëvendësdrejtorit për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise, me kreun në largim të SPAK, Altin Dumani. Mes imazheve ishte edhe ai i kandidatit – dhe tashmë kreut të ri – Klodian Braho. Një sinjal i qartë mbështetjeje për 43-vjeçarin.

Reklame

Në postim, Ambasada theksonte: “Dumani vendosi standardin për bashkëpunim të fortë mes agjencive amerikane të zbatimit të ligjit dhe SPAK”, duke shtuar më pas se “shpresojmë që punën dhe bashkëpunimin e nisur ta çojë përpara pasardhësi i tij”. Në gjuhën diplomatike, mesazhi ishte i pastër: SHBA kërkonte vazhdimësinë e modelit “Dumani” – dhe përfshirja e Brahos në këtë komunikim ishte tregues i preferencës amerikane.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian – ndonëse jo publikisht në të njëjtin nivel – dukej se favorizonte prokurorin special Adnan Xholi, një kandidat me profil teknik dhe i perceptuar si më “europian” në qasje. Por Xholi mori vetëm një pjesë të vogël votash, ndërsa Braho fitoi me 7 nga 11 votat, duke konfirmuar se influencat e jashtme shpesh ndërthuren dhe ndikojnë fuqishëm në vendimmarrjen vendase.

Kjo garë e heshtur mes partnerëve nuk është e re, por ka marrë intensitet të ri në një moment kur drejtësia shqiptare është në fokus të ndërkombëtarëve dhe Shqipëria synon anëtarësimin në BE. Sigurimi i një drejtimi të besueshëm të SPAK është jetik për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për ekuilibrat diplomatikë.

Zgjedhja e Klodian Brahos, e shoqëruar nga sinjale të dukshme mbështetjeje nga Washingtoni, konfirmon se drejtësia në Shqipëri është bërë një terren ku takohen – dhe herë pas here përplasen – interesa përtej kufijve.

Tani mbetet për t’u parë se çfarë ndikimi do të ketë ky suport ndërkombëtar mbi punën e tij, kur Braho të marrë zyrtarisht detyrën më 19 dhjetor.

Reklame