Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka dhënë një përgjigje të fortë ndaj kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për të ndalur tregtinë me Spanjën, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj luftës dhe asaj që e quajti “shkelje e së drejtës ndërkombëtare”.
Në një fjalim 10-minutësh, Sánchez bëri një reflektim mbi luftërat në Ukrainë dhe Gazë, si dhe mbi Luftën e Irakut mbi 20 vjet më parë, duke thënë se “s’do të përsërisim gabimet e së shkuarës” dhe se “qëndrimi i qeverisë mund të përmblidhet me dy fjalë: Jo luftës”.
Në fjalimin e tij të transmetuar nga rezidenca e kryeministrit në La Moncloa, Sánchez theksoi se një “paligjshmëri” nuk mund të pasohej me një tjetër.
Ai foli për “katastrofën” e luftës në Lindjen e Mesme, dy ditë pas apelit të tij për të dy palët që të tërhiqeshin nga konflikti dhe të respektonin të drejtën ndërkombëtare.
Trump kërcënoi të vendoste një embargo të plotë tregtare ndaj Spanjës si përgjigje ndaj refuzimit të Madridit për të lejuar SHBA -të të përdornin bazat e përbashkëta në Morón dhe Rota për sulme ndaj Iranit.“Spanja është treguar e tmerrshme,” tha Trump gjatë një takimi me Kancelarin gjerman Friedrich Merz të martën. “Ne do të ndërpresim të gjithë tregtinë me Spanjën. Nuk duam të kemi të bëjmë me Spanjën,” shtoi ai.
Merz tha më vonë se i kishte thënë qartë Trumpit se ai nuk mund të nënshkruante një marrëveshje të veçantë me Gjermaninë ose me gjithë Europën, por jo me Spanjën.
Trump gjithashtu ka akuzuar Spanjën si një “partner të tmerrshëm” në NATO, për shkak se nuk ka rritur buxhetin e mbrojtjes në përputhje me objektivin prej 5% të prodhimit ekonomik (PBB-së).















