Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër operacion kundër krimit ekonomik dhe informalitetit, duke goditur një skemë të kontrabandës së veshjeve të markave të shtrenjta. Operacioni i koduar “Brand 3” u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Si rezultat i hetimeve, janë identifikuar 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe më pas i hidhnin në treg duke shmangur detyrimet tatimore.
Gjatë operacionit, policia ka arrestuar 3 persona, ndërsa 4 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Të dyshuarit u kapën në flagrancë teksa transportonin me 2 automjete, 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, u vunë në pranga shtetasit:
Sofokli Bushi, 69 vjeç
Bilbil Llangozi, 72 vjeç
Ali Bushati, 57 vjeç
Ndërkohë, nisi procedimi penal për shtetasit:
R. Ll., 45 vjeç
I. B., 39 vjeç
E. B., 23 vjeç
Z. M., 65 vjeç
Sipas Policisë së Shtetit, hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Të dyshuarit akuzohen për veprat penale: “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.













