Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për pasojat e rënda ekonomike që po sjell zhvlerësimi i euros, duke e cilësuar situatën si një goditje serioze për ekonominë shqiptare, bizneset dhe mirëqenien e qytetarëve.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se euro ka zbritur në nivelet më të ulëta historike të kursit të këmbimit, ndërsa gjatë viteve të fundit ka humbur rreth 40% të vlerës së saj.
Sipas saj, ndonëse kursi i këmbimit shpesh perceptohet si një çështje teknike, pasojat e zhvlerësimit tashmë janë të dukshme dhe të prekshme në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Zhvlerësimi i euros po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve, në goditjen e eksporteve, në humbjen e vendeve të punës dhe në mbijetesën e bizneseve shqiptare”, shprehet Tabaku.
Ajo kritikon ashpër qeverinë, duke theksuar se çdo retorikë për nxitjen e eksporteve është e pavlefshme për sa kohë ekonomia përballet me një kurs këmbimi që dëmton prodhimin vendas dhe konkurrueshmërinë e bizneseve.
Sipas deputetes demokrate, mungesa e politikave mbrojtëse dhe e reagimit institucional po e përkeqëson situatën, ndërsa kostoja reale po paguhet nga qytetarët dhe sipërmarrjet.














