Advertisement

Seanca e radhës për dosjen “Metamorfoza” u shoqërua me debate të ashpra dhe tension të lartë, teksa Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi thirrjen e 40 dëshmitarëve për të hetuar veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal.

Prokurorët kërkojnë marrjen në pyetje të dëshmitarëve për vrasjen e Gjin Boriçit në gusht 2020 dhe për përgatitjen e vrasjes ndaj Kleanthi Musabellit, akuza që sipas SPAK janë realizuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Reklame

Pika më e nxehtë e seancës ishte komunikimi përmes aplikacionit SKY ECC dhe mospërputhja e pretenduar e orareve të bisedave me kohën e vrasjes së Gjin Boriçit.

Arben Kraja, ish-kreu i SPAK, tha se orari i serverave të SKY ECC nuk përputhet me orën lokale, duke hedhur poshtë pretendimet për manipulim të kohës së komunikimeve.

Nga ana tjetër, avokati Gurali Brahimllari, përfaqësues i biznesmenit Pëllumb Gjoka, akuzoi prokurorinë për manipulim të procesverbalit, duke pretenduar se dokumentet e Gjokës janë spostuar dhe provat deformuar.

Seanca u shty pasi avokatët kërkuan kohë për të njohur provat dhe materialet e paraqitura nga prokuroria.

Bashkë me Pëllumb Gjokën, në gjyq po përballen edhe Behar Bajrovic dhe Edmond Preka. Ky proces po zhvillohet me gjykim të zakonshëm, ndryshe nga pjesa e krimeve më të lehta të dosjes “Metamorfoza”, e cila u trajtua më parë me gjykim të shkurtuar.

Seanca e radhës pritet të rikthejë tensionin dhe përplasjen mes palëve, duke e bërë këtë një nga proceset më të bujshme të viteve të fundit për krimin e organizuar në vend.

Reklame