Një rast i rëndë që rrezikonte drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve është goditur në Fier, ku Policia ka zbuluar dhe sekuestruar mijëra kuti me ilaçe të skaduara dhe të futura kontrabandë, të cilat hidhnin në treg përmes farmacive të qytetit.
Pas një hetimi disamujore të ndjekur me metoda speciale, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizuan operacionin policor të koduar “Skadenca”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi B. B., 42 vjeç, banues në Fier, i cili magazinonte në banesën e tij medikamente të ndryshme pa faturë tatimore dhe në një pjesë të konsiderueshme të skaduara, të cilat më pas i hidhte në treg për përfitim financiar.
Gjatë kontrollit të banesës, i autorizuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan gjithsej 4 289 kuti me medikamente:
1 635 kuti me ilaçe të skaduara
2 654 kuti pa faturë tatimore, të dyshuara si mallra të futura kontrabandë
Nga hetimet rezultoi se 42-vjeçari, për një periudhë të gjatë kohore, magazinonte ilaçe të skaduara dhe të paligjshme, të cilat i shpërndante në treg duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasit B. B., për veprat penale:
“Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”
“Fshehja e të ardhurave”
“Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”
“Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”














