Teksa Gjykata e Posatçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po zhvillon seancat paraprake për çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ish-kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, është marrë zyrtarisht e pandehur nën akuzën për pengim të drejtësisë.
Bushka ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën për pushimin e çështjes ndaj saj, duke pretenduar se në ngarkim të saj mungojnë elementët përbërës të veprës penale. Sipas saj, akuzat janë të pabazuara dhe nuk përmbushin kriteret ligjore për vijimin e procedimit penal.
Në rast se kjo kërkesë nuk pranohet nga trupi gjykues, ish-kryetarja e Komisionit të Ligjeve ka dorëzuar alternativisht edhe kërkesën për gjykim të shkurtuar.
Ndërkohë, seanca paraprake në GJKKO vijon me paraqitjen e përfaqësuesve ligjorë të shoqërive të përfshira në këtë çështje, mes të cilave edhe shoqëritë “Byla” dhe “Aventus”.
Procesi pritet të përcaktojë në ditët në vijim nëse çështja do të kalojë për gjykim të plotë apo do të ketë vendime paraprake për të pandehurit.














